PROPOZICIONET E GARAVE 2015

Në bazë të nenit 6.8. e Statutit të FSPK, Bordi në mbledhjen e vet të mbajtur më ____/____/2015, me propozim të Komisarit të garave miratoi:

 

PROPOZICIONET E GARAVE

për Ligën e meshkujve në disiplinën e futbollit të vogël, për vitin garues 2015.

 

 

Neni 1

Me këto propozicione përcaktohet mënyra dhe kushtet e zhvillimit të garave në Ligë për meshkuj, në futboll të vogël, për vitin garues 2015.

Neni 2

Garat i udhëheq Komisari i garave – KG, të cilin e zgjedh Bordi i FSPK-ës. Komisari i garave zgjedhet për çdo vit garues, dhe për punën e tij i përgjigjet Bordit.

 

Selia e KG-ve është në Prishtinë, në lokalet e FSPK-ës, ___________________, telefon: +381/38/_____-_____; mob: +377/44/157-527; fax: +381/38/___-___; interneti:www._____;e-maili:federatasportive@gmail.com

 

Të drejtat dhe obligimet e Komisarit të garave janë:

  • Në mënyrë të drejtpërdrejt udhëheq me garat që i organizon dhe mbanë Federata, duke u bazuar në aktet normative në fuqi të FSPK-ës,
  • Përcakton dhe definon listën e personave zyrtarë (gjyqtarëve, vëzhguesve, evidentuesve), të aprovuar nga nga Bordi i FSPK-ës;
  • Regjistron ndeshjet dhe rezultatet e tyre;
  • Propozon mbi të gjitha çështjet lidhur me organizimin e garave;
  • Propozon për të gjitha dënimet e parapara me aktet normative;
  • Udhëheq procedurën disiplinore dhe propozon shqiptimin e dënime klubeve dhe zyrtarëve;
  • Nxjerr rezultatet zyrtare pas çdo xhiroje apo seance dhe atë iu dërgon me postë elektronike:

–  Të gjitha klubeve pjesëmarrëse në gara,

–  Kryetarit të Bordit të FSPK-ës dhe anëtarëve tjerë të Bordit,

–  Pranon ankesat e klubeve dhe propozon vendime me arsyetimin e vendimeve të shqiptuara dhe ja përcjellë në shqyrtim dhe për vendimmarrje të mëtejmë Bordit të FSPK-ës;

–  Bënë të gjitha përgatitjet për sezonin e ardhshëm të garave dhe i propozon Bordit;

–  Kryen edhe punë të tjera me qëllim të mbarëvajtjes së suksesshme të garave.

 

Neni 3

Pjesëmarrës të garave që i organizon Federata për vitin 2015, janë këto skuadra:

 

  1. FSK,
  2. POLICIA E KOSOVËS,
  3. MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME,
  4. TEB,
  5. RAIFFEISEN BANK,
  6. KUJTESA,
  7. SCAN COLOR – JYSK, dhe
  8. HY – ECO.

 

Neni 4

Sistemi i garave për edicionin 2015 do të jetë i tillë ku ekipet do të garojnë sipas sistemit “vajtje-ardhje”, njëra në pranverë dhe tjetra në vjeshtë.

Neni 5

Përveç garave kampionate, Federata do të organizon dhe mbanë edhe garat e kupës së Kosovës.

 

Neni  6

Garat zhvillohen sipas rregullave të lojës të propozuara nga Komisari i garave dhe të aprovuara nga Bordi.

  1. Ekipet do të luajnë me gjashtë (6) lojtarë (5 lojtarë + 1 portier).
  2. Regjistri bazë i ekipeve mund të ketë 15 lojtarë, por në regjistrin për procesverbal (protokoll) të ndeshjes, duhet të paraqiten 10 lojtarë.
  3. Në përbërje të ekipit mund të ketë lojtarë aktiv që luajnë në Super-Ligë dhe Ligën e Parë të Kosovës, por në lojë mund të aktivizohet vetëm një lojtarë i tillë.
  4. Nuk do të ketë ndëshkim në raste kur ndërhyrja e lojtarit nuk shkakton kontakt me lojtarin kundërshtar.

Neni 7

Ndeshjet në Ligë do të vlerësohen sipas Rregullave Ndërkombëtare të lojës së futsallit. Kjo donë të thotë që rezultatet e ndeshjeve dhe numri i pikëve, do të vlerësohen në këtë mënyrë:

 

o   Për fitore ………………………………. 3 pikë

o   Për barazim ……………………………. 1 pikë

o   Për humbje …………………………….. 0 pikë

 

Neni 8

Lojërat e kampionatit do të zgjasin 2 x 15 minuta. Me vendim të Kuvendit apo të Bordit (nëse ky autorizohet nga Kuvendi), ato mund të zgjasin 2 x 20 minuta.

 

Neni 9

Renditja e ekipeve në tabelën e klasifikimit bëhet mbi bazë të pikëve të fituara. Në qoftë se dy apo më shumë ekipe kanë numrin e njëjtë të pikëve, renditja në tabelë përcaktohet në në bazë të gol-diferences më të mirë. Nëse edhe gol-diferenca është e njejtë, renditja do të bëhet në bazë të pikëve të fituara në duele në mes të atyre dy ekipeve. Ekipi më i mirë është ai që ka fituar më shumë pikë në këto duele. Nëse kanë numër të njëjtë të pikëve, atëherë ekipi më i suksesshëm është ai që ka gol-diferencen më të mirë në ndeshjet e drejtpërdrejta. Nëse edhe në ndeshjet e drejtpërdrejta gol-diferenca është e njëjtë, atëherë ekipi më i suksesshëm është ai që ka shënuar më shumë gola si mysafir në ndeshjet e drejtpërdrejta. Nëse edhe në këtë mënyrë nuk mund të caktohet renditja në tabelën e klasifikimit, atëherë do të caktohet një ndeshje. Nëse ndeshja përfundon me rezultat të barabartë, zhvillohet vazhdimi 2 x 5 minuta. Nëse edhe në këtë rast nuk mund të caktohet fituesi, do te ekzekutohen 7 m (penallti).

 

Kështu:

a)  Para se të ekzekutohen 7m, secili ekip duhet t’i emëroj tre lojtarë të cilët do të ekzekutojnë 7 m (penalltitë) dhe lista prej tre lojtarëve i dorëzohet gjyqtarit. Këta lojtarë duhet të ekzekutojnë nga një gjuajtje, duke ja kaluar rendin lojtarëve kundërshtarë. Secili ekip është i lirë të vendos rendin me të cilin lojtarët do ti ekzekutojnë gjuajtjet e tyre.

b)   Portierët mund të ekzekutojnë gjuajtje sikur që dhe gjuajtësit mund të luajnë si portierë.

c)   Gjyqtarët zgjedhin portën në të cilën do të ekzekutohen gjuajtjet.

d)   Zgjedhja e ekipit për të ekzekutuar gjuajtjen e parë bëhet në bazë të shortit. Ekipi që fiton shortin mund të zgjedh nëse dëshiron të ekzekutoj i pari apo i fundit.

e)  Nëse shënimet janë të barabarta pas rrethit të parë, vazhdon ekzekutimi i nga 1 (një) 7 m (penalltie) përderisa nuk të arrihet vendimi (fitorja e njërit ekip).

f)   Lojtarët dhe portierët me të drejtë loje janë të gjithë ata lojtarë që në raportin e ndeshjes nuk janë të përjashtuar.

g)  Nëse gjatë ekzekutimit të 7 m (penalltive), ndonjë nga lojtarët është skualifikuar nga gjyqtarët apo është lënduar, ai duhet të zëvendësohet me një lojtarë shtesë.

h)   Derisa bëhet ekzekutimi i gjuajtjeve, vetëm ekzekutuesi, portieri aktual dhe gjyqtari

mund të gjenden në gjysmën përkatëse të fushës.

i)   Nëse numri i lojtarëve me të drejt loje është më pak se 5, atëherë një lojtari mund t’i lejohet për të ekzekutuar gjuajtjen për herë të dytë në të njëjtin rreth.

 

Neni 10

Tërheqja e shortit për zhvillimin e garave bëhet së paku 7 (shtatë) ditë para fillimit të garave, në praninë e përfaqësuesve të klubeve. Në mungesë të ndonjë përfaqësuesi, komisioni i garave e bën tërheqjen e shortit. Renditja e klubeve në tabelën e klasifikimit, do të bëhet sipas rangimit në tabelën e klasifikimit të garave për vitin paraprak.

Neni 11

Orarin e zhvillimit të ndeshjeve e përpilon Komisari i garave (KG), kurse e miraton Bordi.

 

Neni 12

Komisari i garave, ndeshjet do t’i regjistroj me rezultat zyrtar 3:0 në bazë të procesverbalit dhe deklaratave të personave zyrtar në këto raste:

  • Nëse cilido nga ekipet nuk ka udhëtuar për zhvillim të lojës dhe për këtë nuk e ka njoftuar me shkrim Komisarin me kohë (së paku 24 orë), për pamundësinë e pjesëmarrjes në lojën e paraparë;
  • Nëse ekipi është paraqitur me lojtarë që nuk janë të regjistruar në mënyrë të rregullt;
  • Nëse ekipi paraqitet me lojtarë të cilëve u është ndërprerë marrëdhënja e punës në organizatë;
  • Nëse ekipi e dorëzon ndeshjen ose ndeshja nuk zhvillohet me fajin e tij;
  • Nëse ekipi e lëshon fushën ose nuk mundëson vazhdimin e lojës së filluar;
  • Nëse me fajin e ekipit ndërpritet ndeshja;
  • Nëse ndeshja ndërpritet, për shkak të sulmit fizik ndaj personave zyrtarë apo ekipit kundërshtar.

 

Neni 13

Ndërprerja e ndeshjes mund të jetë e përkohshme apo përfundimtare.

 

a)      Ndeshja mund të ndërpritet përkohësisht:

  • Për shkak të acarit, nxehtësisë së madhe, tymit, frymës, ujit, territ – ndricimi joadekuat, përkatësisht kur fusha fiton ato karakteristika ku pamundësohet kontrolli ndaj topit;
  • Për shkak të sjelljes së pahijshme dhe huligane eventuale të shikuesve;
  • Për shkak të konfliktit në mes lojtarëve, trajnerëve dhe personave zyrtarë të ekipeve;

 

Në rastet kur loja ndërpritet përkohësisht, për shkak të acarit, nxehtësisë, territ, frymës, ujit etj., ndërprerja zgjatë aq sa zgjatë ajo situatë. Pas kalimit të kësaj situate, ndeshja e re do të fillojë, përkatësisht do të vazhdojë prej momentit të ndërprerjes, varësisht nga vendimi i zyrtarëve.

 

b)      Ndërprerja përfundimtare e ndeshjes:

 

  • Për shkak të sulmit në personat zyrtar: gjyqtarë, vëzhgues, evidentues, lojtarë, trajner;
  • Kur janë cenuar rregullat e lojës deri në atë masë, ku gjyqtarët përkundër masave të ndërmarra nuk mund ta përfundojnë ndeshjen;
  • Para marrjes së vendimit për ndërprerjen e ndeshjes deri në fund, evidentuesi dhe gjyqtarët janë të obliguar të kërkojnë nga ekipet apo organizatori, të:

– evitojnë mangësitë organizative të ndeshjes, kur ndërprerja është pasojë e organizimit të dobët,

– t’i vënë dhe respektojnë rregullat e lojës në fushë,

– t’i zbrazë tribunat apo pjesërisht ti largoi shikuesit nga njëra anë e fushes – palestrës.

 

Nëse edhe pas masave të ndërmarra nuk është kthyer rendi në fushë, atëherë gjyqtarët e ndërpresin lojën.

Tek ndeshjet e ndërprera përfundimisht, nuk ka vazhdim të lojës.

Neni 14

Në qoftë se ekipi i suspenduar ka zhvilluar më pak se 51 për qind të ndeshjeve, rezultatet e saja anulohen, kurse në qoftë se ka zhvilluar më tepër se 51 për qind, rezultatet e ndeshjeve të pazhvilluara regjistrohen me rezultat zyrtar 3:0 në të mirë të kundërshtarëve.

 

Ekipi që gjatë një kampionati i humb tri ndeshje me rezultat zyrtar 0:3, automatikisht e humb statusin e anëtarit garues për atë sezonë të garave në Ligë.

Neni 15

Ndeshjet e Ligës/Ligave, preferohet të zhvillohen gjatë vikendeve (e shtune – e diele), por mund të zhvillohen edhe ditëve të punës (e hëne – e premte), sipas propozimit të Komisarit, të miratuar nga Bordi.

Propozimi i KG-ve duhet të bazohet në disa faktorë, sic janë:

  • Kërkesat e klubeve (institucioneve/kompanive);
  • Mundësitë e shfrytëzimit të fushave – palestrave;
  • Mundësitë e sigurimit të gjyqtarëve etj.

 

Komisari i garave, mund të shtyjë terminin e zhvillimit të ndeshjes/ndeshjeve, me kërkesë të njërit ekip, nese kërkesa paraqitet së paku 48 orë më herët.

 

Kërkesës duhet t’i bashkëngjitet arsyeja me shkrim, dhe për këtë vendos Komisari i garave.

 

Neni 16

Obligohet Komisari i garave të përgatis orarin e garave dhe t’i njoftoj klubet pjesëmarrëse të garave në Ligë. Orari i garave publikohet në zyrat e FSPK. Të gjithë klubeve duhet t’u dërgohet me postë elektronike (e-mail).

 

Neni 17

Komisari i garave mund të shtyjë zhvillimin e një ndeshje apo të komplet xhiros (javës) së caktuar, pa kërkesë të ekipeve vetëm në këto raste:

 

  • Fatkeqësisë elementare, ndalesës së organeve shtetërore, shëndetësore apo organeve lokale;
  • Në rastet e helmimit apo të sëmundjeve të më shumë se pesë (5) lojtarëve standard, duke dëshmuar me raportin mjekësor të vërtetuar nga Enti përkatës shëndetësor;
  • Pjesëmarrjes së dy apo më tepër lojtarëve në Reprezentacionin e Federatës;
  • Pjesëmarrjes së ekipeve në gara të kupave të ndryshme ndërkombëtare që mund të organizohen nga sektorë të caktuar të vendeve të ndryshme, në të cilat do të marrin pjesë klubet e FSPK-ës.

 

Neni 18

Për hir të vijimit të rregullt të garave, Komisari mund të vendos që ndeshjet e caktuara apo të gjitha ndeshjet e një apo edhe dy xhirove, të luhen në të njëjtën ditë.

 

Rreptësishtë duhet të respektohet koha e fillimit të ndeshjes. Çdo vonesë e ekipit, gjyqtarëve apo personave tjerë zyrtarë, evidentuesi-procesmbajtesi, është i obliguar t’i konstatoi në protokoll të ndeshjes.

 

Koha e pritjes së ekipit kundërshtar për zhvillim të lojës është 30 minuta.

Evidentuesi-procesmbajtësi, në raste të caktuara, mund të shtyjë kohën e pritjes së ekipit kundërshtar më së shumti 60 minuta, nëse për atë shtyerje dakordohet ekipi tjetër.

 

Të gjitha këto të dhëna duhet të shënohen në procesverbal të ndeshjes.

 

Neni 19

Komisari është i obliguar që të ndërmarrë masa që ndeshjet e shtyra, të zhvillohen para zhvillimit të xhiros së fundit të kampionatit të rregullt. Në qoftë se për ndonjë arsye objektive ato nuk mund të zhvillohen, Komisari obligohet të shtyjë zhvillimin e garave të xhiros së fundit, derisa të zhvillohen ndeshjet e mbetura, por jo më shumë se për një javë. Nëse edhe brenda asaj periudha nuk arrihet të zhvillohen ndeshjet e mbetura, atëherë ato ndeshje do të regjistrohen me rezultat zyrtar (3:0), në dëm të ekipit që është shkaktar i moszhvillimit të ndeshjes.

Neni 20

Pas përfundimit të ndeshjes, shënohet dhe konstatohet paraqitja e ankesës për shkak të shkeljes së rregullave të lojës.

Neni 21

Procesverbalet e ndeshjeve plotësohen me dorëshkrim, me shkronja të qarta, në tre ekzemplarë të njëjtë. Origjinali i dorëzohet vëzhgues-kontrolluesit, ndërsa nga një ekzemplar ekipeve garuese në ndeshje.

 

Të gjitha vërejtjet eventuale, ankesat etj., në formë të shkruar i adresohen Komisionit të garave.

 

Neni 22

Të gjithë lojtarët e regjistruar për pjesëmarrje në gara, duhet të kenë kontratë pune me institucionin-kompaninë për të cilën zhvillojnë gara.

 

Nëse lojtari/ja nuk ka kontratë të punës me institucionin/kompaninë për të cilën zhvillon gara, ai/ajo nuk mund të paraqitet në lojë. Nëse paraqitet, ndeshja do të regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 për ekipin rival.

 

Neni 23

Ekipet pjesëmarrëse në gara paraqiten me ngjyrat e klubit. Kur dy ekipe kanë ngjyrë të njëjtë të fanellave, ekipi mysafir – i dyti gjatë procesit të hudhjes së shortit, obligohet të sigurojë fanella me ngjyrë tjetër.

 

Të gjitha ekipet janë të obliguara që Komisarit të garave, t’i paraqesin ngjyrat e fanellave me të cilat do të zhvillojnë ndeshjet gjatë kampionatit. Ekipet që nuk e kryejnë këtë obligim, obligohen që rregullisht të sigurojnë fanella me ngjyrë tjetër nga ajo që ka ekipi kundërshtar.

 

Neni 24

Fanellat duhet të kenë numrat në shpinë dhe duhet të jenë të njëjta, të mos ketë laramani.

Evidentuesi-procesmbajtësi, para fillimit të ndeshjes, duhet t’i kontrolloi ngjyrat e fanellave të lojtarëve.

 

Ekipi i cili nuk e plotëson kushtin nga alineja 1 e këtij neni, nuk mund të zhvilloj lojën dhe rezultati do të regjistrohet 3:0 në dobi të ekipit kundërshtar.

Neni 25

Federata, në mungesë të semaforit, oligohet të siguroj së paku 3 (tre) kronometra për matjen e kohës, 2 (dy) topa për zhvillimin e ndeshjeve,2 pipa,ekzemplarë të nevojshëm të procesverbalit dhe kushtet tjera për punë normale.

Neni 26

Shpenzimet e personave zyrtarë: gjyqtarëve, vëzhguesve, evidentuesit-procesmbajtësit, i paguan Federata.

 

Neni 27

Të gjitha ekipet, janë të obliguara që para fillimit të Kampionatit, të bëjnë pagesën në emër të kuotizimit.

Lartësia e kuotës është në vlerë prej 1,500.00 Euro.

 

Pagesa e kuotës duhet të paguhet 7 ditë para fillimit të sezonit garues.

 

Pagesa bëhet në xhirollogarinë e FSPK-ës.

 

Ekipi i cili nuk e bënë pagesën sipas paragrafit të lartcekur nuk mund të zhvilloj garat.

 

Neni 28

Sekretari teknik i FSPK-ës është i obliguar që para fillimit të ndeshjes së xhiros të parë të kampionatit, të verifikoj pagesat e bëra të secilit ekip, dhe të njoftoj Komisarin e garave.

 

Neni 29

Nëse njëra nga ekipet nuk ka bërë pagesën, ndeshja nuk do të zhvillohet dhe ajo do të regjistrohet me rezultat 3:0 në të mirë të ekipit kundërshtar.

Nëse të dy ekipet nuk e kanë paguar kuotën, ndeshja nuk mund të zhvillohet, dhe ekipet do të fitojnë 0 (zero) pikë dhe evidencohen si ndeshje të pazhvilluara.

 

Neni 30

Caktimi i personave zyrtarë (gjyqtarë, vëzhgues, evidentues), për cdo ndeshje bëhet nga nga Komisari i garave.

 

Neni 31

Nëse vëzhguesi nuk është prezent në ndeshje, atë e zëvendëson me të gjitha të drejtat dhe obligimet gjyqtari i parë i deleguar për ndeshje.

Neni 32

Në raste të përjashtimit të një apo më shumë lojtarëve në ndeshje, evidentuesi është i obliguar që pas përfundimit të ndeshjes t’i marrë deklaratat me shkrim të lojtarëve të përjashtuar.

 

Deklaratat e lojtarëve duhet të jenë të nënshkruara nga vetë lojtarët e përjashtuar dhe deklaratat e tyre janë pjesë përbërëse e procesverbalit. Nëse vëzhguesi nuk ka mundësi të marrë deklaratën e lojtarëve të përjashtuar, ai është i obliguar që këtë ta theksojë në procesverbal.

 

Lojtari apo personi zyrtar i përjashtuar me karton të kuq për shkak të sjelljeve të rënda josportive ndaj personave zyrtarë apo lojtarëve kundërshtar, do të dënohet me 1-3 ndeshje mos lojë apo mospjesëmarrje në gara. Në rastet e përsëritura, dënimet do të jenë progresive.

 

Neni 33

Lojtari apo presoni zyrtar i përjashtuar deri në fund të ndeshjes për shkak të tentimit apo sulmit fizik ndaj personave zyrtarë apo lojtarëve kundërshtarë, do të dënohet me 2 – 4 ndeshje mospjesëmarrje në lojë. Në rastet e përsëritura dënimet do të jenë progresive.

 

Neni 34

Evidentuesi dhe gjyqtarët janë të obliguar që Komisari, më së voni 48 orë pas përfundimit të ndeshjes, t’ia dorëzojnë procesverbalin e ndeshjes.

 

Nëse evidentuesi nuk e sjell procesverbalin në afat prej 48 orëve pas përfundimit të ndeshjes në zyrën e FSPK-ës apo para Komisari, nuk do të paguhet dhe do të ndëshkohet me mos-delegim prej 1 deri 3  ndeshje.

 

Nëse evidentuesi, procesverbalin së bashku me vlerësimin mbi gjykimin, e dërgon me postë, duhet që paraprakisht atë t’a dërgon me Fax, në mënyrë që Komisari të mund të mbaj mbledhjen e radhës dhe të bëjë regjistrimin e ndeshjes.

 

Kush nuk i përmbahet këtij neni do të ndëshkohet me mos delegim prej 1 deri 3 ndeshje të Kampionatit.

 

Neni 35

Evidentuesi i ndeshjes është i obliguar që më së voni 30 minuta pas përfundimit të ndeshjes, të lajmëroj Komisarin apo zyrën e FSPK-ës mbi përfundimin e ndeshjes me rezultatin dhe vlerësimin e çiftit të gjyqtarëve me anë të mesazhit të shkruar.

Neni 36

Gjyqtarët në ndeshje duhet të paraqiten me uniforma të njëjta.

 

Neni 37

Vendimin për masat disiplinore ndaj lojtarëve, gjyqtarëve, evidentuesit përkatësisht matësit të kohës, përfaqësueseve të ekipeve etj., në rangun e shkallës së parë, e merr Komisari në mbështetje të Rregullores disiplinore të FSPK-së dhe dispozitave të këtyre propozicioneve.

 

Neni 38

Në ndeshjen e zhvilluar ekipi ka të drejtë ankese. Paraqitja e ankesës bëhet pas përfundimit të ndeshjes dhe atë më së voni 30 minuta pas përfundimit të ndeshjes.

 

Neni 39

Kundër vendimit të Komisarit i cili vendos si organ i shkallës së parë, ekipi, lojtarët, gjyqtarët, evidentuesi dhe personat e tjerë zyrtarë të pakënaqur me vendimin e organit të shkallës së parë, kanë të drejtë ankese organit të shkallës së dytë, Këshillit të garave ose Bordit të FSPK-ës, në afatin prej 8 ditësh nga dita e regjistrimit në Buletinin e garave.

Neni 40

Ankesa në ndeshjet e garave shtesë (Play-off) i dorëzohet Komisarit në afat prej 12 (dymbëdhjetë) orëve pas përfundimit të ndeshjes. Vendimi mbi ankesën në shkallën e parë merret në afat prej 24 orëve dhe ju dorëzohet palëve me shkrim.

Në këtë vendim, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në organin e shkallës së dytë – Këshillin e garave përkatësisht Bordin e FSPK, në afat prej 36 orëve, i cili vendim do të merret në afat prej 48 orëve.

 

Neni 41

Të gjitha ndeshjet e zhvilluara, Komisari i regjistron në afatin prej 48 orëve e më së voni para fillimit të ndeshjeve të javës në vijim, nga dita e zhvillimit të tyre në bazë të dhënave që rezultojnë nga dokumentacioni zyrtar (procesverbali i ndeshjes, raportet e gjyqtarëve dhe evidentuesit).

 

Në rast të paraqitjes së ankesës në ndeshje, afati i regjistrimit të ndeshjes shtyhet deri në 7 ditë. Në rastet e jashtëzakonshme kur duhet të mblidhen materialet argumentuese për ndeshjen e ndërprerë ajo mund të shtyhet për regjistrim më së largu 15 ditë.

 

Neni 42

Nëse njëra nga ekipet jep dorëheqje nga garat apo largohet nga ato, ndeshjet regjistrohen me rezultatet e arritura në terren. Ndeshjet e zhvilluara nuk regjistrohen fare nëse ekipi ka zhvilluar më pak se 50% të ndeshjeve të parapara, kurse ato do të regjistrohen me rezultat zyrtar 3:0 për ekipin kundërshtar nëse ekipi ka zhvilluar më shumë se 50%+ 1 (një) ndeshje.

 

Neni 43

Komisioni i garave përpilon Buletinin dhe atë e publikon në selinë e FSPK-ës.

 

Neni 44

Interpretimin e këtyre Propozicioneve e bënë Bordi i FSPK-ës.

 

Neni 45

Ndryshimet dhe plotësimet e këtyre Propozicioneve të garave të bëhen në të njëjtën mënyrë sikur se edhe janë miratuar.

Neni 46

Këto Propozicione hyjnë në fuqi ditën e miratimit nga Bordi dhe aplikohen për vitin garues 2015.

 

 

 

 

 

Prishtinë,                                                                                                      Kryetari i Federatës,

         _________________        

Mars, 2015                                                                                                  Ismail SADIKU